Autor: Prof. dr. Marjan Gjurovski, Fakulteti Filozofik, Shkup – UKIM
Kur bëhet fjalë për sigurinë dhe stabilitetin ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë, në të vërtetë nuk ka vend për pyetje të hapura. Bashkëpunimi në fushën e sigurisë është duke u zhvilluar, të dyja vendet janë garantues të paqes dhe stabilitetit të rajonit dhe në këtë realitet të ri mund të shohim pamjen e madhe e cila tregon qartë se pa integrim nuk mund të kemi prosperitet as individualisht e as si rajon.
Përgjegjësinë për zgjidhjen e të gjitha çështjeve e kanë marrë ministritë e punëve të jashtme të të dyja vendeve. Fillimi i negociatave me Bashkimin Europian, aq sa është në interes të Maqedonisë së Veriut, është po aq në interes të Bullgarisë dhe rajonit, si dhe Bashkimit Europian, sepse ai hap do të thotë konfirmim i procesit të zgjerimit, konfirmim i vlerave që përfaqëson BE-ja dhe një garanci e sigurisë së shteteve anëtare të Bashkimit në kushte lufte në tokën europiane.
Lufta në Ukrainë na paralajmëron seriozisht se nuk duhet të vonojmë integrimin e vendeve që kanë konfirmuar se ndajnë vlerat europiane si paqja, e drejta ndërkombëtare dhe progresi, dhe se uniteti, bashkimi rreth këtyre vlerave është përgjigjja më e mirë efektive ndaj tendencave të kundërta.
Bashkëpunimi i sigurisë-mbrojtjes ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë nuk vuan në llogari të marrëdhënieve të tensionuara mes dy palëve.
Bashkëpunimi mes dy vendeve tona si anëtare me të drejta të plota të NATO-s po zhvillohet pa të meta. Si shtete aleate dhe fqinje që ndihmojnë njëri-tjetrin për të forcuar fuqinë dhe sigurinë e tyre mbrojtëse, por edhe vende të rëndësishme në krahun jugor të NATO-s që janë garantues të fuqisë mbrojtëse dhe sigurisë së rajonit.
Në vitin 2022, u nënshkrua një plan bashkëpunimi dypalësh ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë, i cili përfshin 10 aktivitete, 7 në Bullgari dhe 3 në Maqedoninë e Veriut.
Çelësi i bashkëpunimit të suksesshëm të mbrojtjes dhe sigurisë dhe ndërveprimit të plotë të dy ushtrive aleate është trajnimi i përbashkët, stërvitjet e përbashkëta, kontaktet e ngushta midis ushtarëve dhe zhvillimi i miqësive. Kështu, të dy vendet do të jenë të sigurta se mund të punojnë së bashku si një në interes të të dy vendeve dhe në interes të sigurisë së rajonit.
Maqedonia e Veriut në NATO do të thotë forcimi i sigurisë dhe stabilitetit jo vetëm për vendin tonë, por edhe për Bullgarinë, e cila ka një vend aleat në kufirin e saj perëndimor dhe për të gjithë rajonin. Përgjigjja ndaj këtij realiteti të ri që po jeton kontinenti është integrimi dhe bashkimi, prandaj mendoj se duhet bërë çdo përpjekje nga të dyja palët, nga të dyja vendet, që procesi të jetë i pandërprerë, bazuar në vlerat dhe parimet europiane, të cilat të gjithë ne i respektojmë dhe i jetojmë. Vetëm një rajon i integruar mund të garantojë jetë më të mirë për të gjithë qytetarët tanë.
Krahas gjithë asaj që po ndodh, populli maqedonas dhe bullgar janë dy popuj të afërt dhe miqësorë dhe do të mbeten të tillë. Detyra e politikanëve është të mos lejojnë armiqësi midis kombeve dhe përkeqësim të marrëdhënieve.
Ne duhet t’i kujtojmë vetes më shpesh kohët kur kemi ndihmuar njëri-tjetrin, gjërat që kemi të përbashkëta dhe që na bashkojnë. Është pak e vështirë t’u shpjegosh njerëzve se të gjithë anëtarët e BE-së mbështesin fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut me BE-në, ndërsa Republika e Bullgarisë, vendi që thotë se dëshiron më shumë që ne të jemi anëtar i BE-së, kishte vënë veton për fillimin e bisedimeve.
Dy qeveritë dhe të dy vendet duhet të bëjnë çmos për të diskutuar me ndershmëri dhe në mënyrë pragmatike për të gjitha çështjet që shfaqen. Bllokadat nuk ndihmojnë në përmirësimin e marrëdhënieve dhe prandaj besoj se hapja e negociatave dhe mbështetja e Bullgarisë do të jetë një impuls dhe vulë e fortë e fqinjësisë së mirë.
BE-ja është ndërtuar mbi parimet e barazisë së të gjithë anëtarëve të saj, mbi respektimin e historisë dhe kulturës së tyre të veçantë. Është bashkim në të cilin festohet diversiteti dhe liria e mendimit. Është garanci për zgjidhjen paqësore të të gjitha mosmarrëveshjeve dhe për hyrjen e të gjitha vendeve anëtare në një hapësirë të përbashkët në të cilën intensifikohet bashkëpunimi ekonomik, zhvillohet demokracia dhe promovohet mirëkuptimi i ndërsjellë. Madje ka institucione që zgjidhin çështjet e pazgjidhura në frymën e vlerave dhe parimeve europiane. Dhe kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të jesh në të si shtet. Për Maqedoninë e Veriut, anëtarësimi në BE është me interes strategjik. Anëtarësimi ynë në BE nuk do të jetë kërcënim për interesat kombëtare të askujt. Përkundrazi, do të jemi bashkë në një familje më të madhe.
Në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka varreza ushtarake bullgare në fshatin Capari të Manastirit dhe në Novosellë afër Strumicës, të cilat mirëmbahen, ruhen dhe vizitohen në raste të caktuara. Në disa vende ka edhe monumente të ushtarëve bullgarë, si në Kavadar e vende të tjera, për të cilat mbahet llogari për ruajtjen dhe mbrojtjen e tyre.
Republika e Maqedonisë së Veriut nuk lejon përdhosjen e varrezave të askujt dhe dukuri të tilla kur ndodhin, ose nëse ndodhin, dënohen ashpër.
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut gjithmonë insiston që të respektohen normat dhe standardet më të larta në mirëmbajtjen e varrezave dhe monumenteve nga Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore në territorin e Maqedonisë së Veriut.
Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut garanton të drejtat e të gjithë qytetarëve, pavarësisht nga përkatësia etnike, fetare apo çfarëdo përkatësie tjetër. Në program, Qeveria avokon që të gjithë qytetarët të kenë mundësi të barabarta për zhvillim personal dhe profesional. Kjo është vlerë me të cilën spikat Republika e Maqedonisë së Veriut – vendosmëria për të respektuar përkatësinë etnike, veçantinë, kulturën e çdo qytetari të shtetit.
Republika e Maqedonisë së Veriut është i vetmi vend në Europë me ministri, përmes së cilës avancohen të drejtat e bashkësive etnike përmes programeve të ndryshme që ka Qeveria në kuadër të buxhetit.
Në këto momente si asnjëherë më parë nevojitet lidershipi dhe marrja e vendimeve të duhura nga të dyja palët, vetëm kështu mund të arrijmë së bashku atë që duam. Dhe kjo është një Europë e bashkuar, një bashkim i të gjitha vendeve që ndajnë vlerat europiane dhe Ballkani në BE. Opsioni i kundërt, shtyrja, vetëm se i forcon ato parti dhe qendra që kanë interes që Ballkani të mbetet i izoluar përgjithmonë.
Maqedonia e Veriut, si asnjë tjetër, meriton zbatimin e plotë të negociatave dhe mesazhet që marrim nga përfaqësuesit europianë e konfirmojnë këtë. Anëtarësimi i vendit në Union është në interes të vetë BE-së dhe me zhvillimet e fundit, dimensioni i rëndësisë së sigurisë së zgjerimit europian për rajonin është mjaft i qartë. Lufta në Ukrainë tregoi në mënyrën më tragjike se integrimi ynë europian po bëhet çështje sigurie dhe vetëm një hap pozitiv në këtë drejtim do të kontribuojë në sigurinë e përgjithshme dhe sigurinë e të gjithë kontinentit europian.
Prandaj, së bashku me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarinë janë të fokusuar në forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve. Qëndrimi i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut është se zgjidhja me Bullgarinë është e mundur vetëm nëse kjo zgjidhje është bazuar në vlerat europiane, në parimet e ruajtjes së dinjitetit të qytetarëve të dy vendeve dhe respektit reciprok të politikanëve dhe institucioneve dhe qytetarëve të të dyja vendeve.
Kjo analizë është pjesë e projektit: “Demitizimi i marrëdhënieve (jo)fqinjësore në rrugën drejt BE-së: Rasti i Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë”, e mbështetur nga Ambasada Kanadeze në Beograd, përmes Fondit Kanadez për Iniciativa Lokale (CFLI). Përmbajtja e publikimit është përgjegjësi e vetme e EUROTINK – Qendra e Strategjive Europiane dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se i pasqyron pikëpamjet e Ambasadës Kanadeze në Beograd dhe ato të Fondit Kanadez për Iniciativa Lokale.