Ресурсна платформа за граѓани и медиуми

Analizë sociologjike e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë

Autor: Prof. dr. Tatjana Stojanoska Ivanova, Instituti i Sociologjisë, Fakulteti Filozofik, Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” Shkup

Diskursi sociologjik për marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë i referohet shumë aspekteve, duke përfshirë arsimin, kulturën, ekonominë, turizmin, sportin, politikën dhe sferat e tjera shoqërore, si dhe i përfshin lidhjet dhe ndërveprimin ndërmjet individëve, grupeve dhe institucioneve. Republika e Maqedonisë së Veriut hap rrugën drejt Bashkimit Europian dhe shumica e qytetarëve e ndajnë mendimin për anëtarësim më të shpejtë në familjen e madhe europiane. Në këtë kontekst janë edhe një sërë marrëveshjesh dhe konventash ndërkombëtare që janë pranuar nga vendi ynë, të gjitha me synimin për një hap të përshpejtuar drejt rrugëve europiane. Një nga ato marrëveshje ishte Marrëveshja e Miqësisë dhe Fqinjësisë së Mirë me Republikën e Bullgarisë nga gushti 2017, e ratifikuar nga të dyja vendet në vitin 2018, marrëveshje që synonte mbështetjen e  Bullgarisë për kandidaturën e Maqedonisë për anëtarësim në NATO dhe BE, duke përfshirë përmirësimin në fushën e ekonomisë, tregtisë, transportit, doganave dhe segmenteve të tjera. Kjo marrëveshje, ndonëse u prit me kritika nga një pjesë e opinionit, megjithatë u mirëprit nga shumica, me qëllim që Bullgaria, si një nga fqinjët tanë dhe shtet anëtar i BE-së, t’i ndihmojë Maqedonisë t’i afrohet perspektivës europiane. Mirëpo, edhe pse marrëveshja u ratifikua, u shfaqën një sërë mospërputhjesh dhe mosrespektimi të disa qëndrimeve, veçanërisht lidhur me arsimin dhe historinë dhe në këtë kontekst Maqedonisë iu vu veto në vitin 2020 nga Bullgaria për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Qëllimet, parimet dhe vlerat kryesore të Maqedonisë janë të orientuara drejt Bashkimit Europian dhe pikërisht për këtë po përpiqet të përhapë dhe pranojë vlerat europiane, konsolidimin e dhe vendosjen e tyre në habitusin e përgjithshëm shoqëror. Nuk ka dilema morale për vazhdimësinë në gjurmimin e vlerave europiane dhe vendimtare janë pranimi dhe mirëkuptimi i tjetrit në çdo kontekst (etnik, fetar, politik, etj.), respekti, përgjegjësia, altruizmi, kozmopolitizmi, ndërtimi dhe zhvillimi i parimit të tolerancës si një nga parimet kyçe, ndërtimi i urave për dialog dhe bashkëpunim, me një fjalë,  qasje pozitive në çdo segment të mjedisit shoqëror. Por ajo që duhet theksuar është se nëse doni perspektivë europiane dhe respekt për të gjitha vlerat europiane, ato nuk mund të jenë vetëm pjesë e njërës palë, përkundrazi, çdo vend duhet t’i kultivojë dhe jo vetëm në mënyrë deklarative, por edhe praktikisht të zotohet për zbatimin e tyre në jetën reale.

Arsimi është shtylla e çdo shoqërie dhe pa  sistem arsimor të shëndetshëm nuk mund të ndërtohen breza të shëndoshë që do të përballen me sfidat jetësore dhe shoqërore, prandaj programet arsimore duhet të krijohen me shumë kujdes. Pikërisht një segment i reformave arsimore ishte edhe pengesë për marrëveshjen me Bullgarinë, duke insistuar për ndryshime në tekstet e historisë, arsimit qytetar etj. Institucionet arsimore janë të destinuara për edukim dhe arsimim cilësor, të bazuar në fakte dhe njohuri dhe nuk duhet t’u nënshtrohen kalkulimeve politike. Faktet për të kaluarën historike nuk mund dhe nuk guxojnë të mistifikohen, përkundrazi, faktet në kuptimin e dirkemian duhen trajtuar si ligj dhe për këtë arsye ato duhet të pranohen dhe të mos kundërshtohen. Historia bazohet në fakte dhe prova shkencore dhe si e tillë është e padiskutueshme, polemika duhet të drejtohet drejt rrugëve të ardhshme të përmirësimit të arsimit dhe i gjithë angazhimi duhet të përqendrohet në atë pyetje: Si të arrihet një arsim më i mirë dhe cilësor, arsim që do t’i zhvillojë vlerat europiane dhe që do të jetë krah për krah me vendet e zhvilluara. Në këtë kontekst, në kuadër të arsimit të lartë, me të drejtë mund të thuhet se ka progres dhe bashkëpunim ndërmjet Maqedonisë dhe Bullgarisë, dëshmi për këtë është shkëmbimi i studentëve në kuadër të programeve europiane të mobilitetit dhe bashkëpunimi mes universiteteve dhe fakulteteteve në fushën e projekteve të përbashkëta, konferenca dhe profesorë vizitorë. Konkretisht, universitetet kanë nënshkruar marrëveshje dypalëshe universitare, të cilat mundësojnë lëvizshmëri (mobilitet) ndërkombëtare (ERASMUS +, CEEPUS), programe që përfshijnë qëndrimin studimor në një universitet të huaj, pjesëmarrjen në ngjarje shkencore ndërkombëtare (konferenca, shkolla verore, kongrese, etj.), si dhe qëndrime të lidhura me punën kërkimoro-shkencore. UShKM-ja ka një numër të madh të marrëveshjeve të tilla me universitetet në Bullgari, ndër to vlen të përmendet Universiteti “Neofit Rilski” nga Blagoevgradi, Universiteti i Sofjes, Universiteti i Veliko Tërnovës. Këto marrëveshje në fushën e arsimit të lartë synojnë shkëmbimin e përvojave dhe përvetësimin e njohurive të reja për studentët dhe pedagogët, debatin për fenomene të rëndësishme shoqërore, prezantimin e prirjeve dhe qasjeve të reja në programet studimore, kuptimin e metodave dhe teknikave moderne shkencore, etj. Studentët nga të dy vendet duhet të fokusohen në marrjen e njohurive të reja, shkëmbimin e ideve dhe përvojave, hapjen e horizonteve dhe perspektivave të reja që do t’i ndihmojnë në rrugën e tyre profesionale dhe jetësore, në fitimin e miqësive, pranimin e vlerave që do të nënkuptojnë qasje pozitive dhe pranim të dallimeve, sigurisht edhe hapja e mendjes ndaj risive dhe perspektivave. Me vizitat e tyre, profesorët duhet të shkëmbejnë përvoja me kolegët e tyre, të debatojnë për çështje të rëndësishme shkencore, të transferojnë njohuritë e fituara, por edhe të kuptojnë dhe arsyetojnë logjikisht për disa dukuri shoqërore, të “ndërtojnë urë” për bashkëpunimin e brezave të ardhshëm. Pranimi i Deklaratës së Bolonjës nënkupton ngritjen e programeve arsimore që do të kontribuojnë në njohuritë e bazuara në fakte, kërkime dhe arritje shkencore progresive, mundësinë e lëvizshmërisë së madhe brenda arsimit në të gjitha nivelet dhe natyrisht përfitimet individuale dhe sociale. Vetëm përmes komunikimit të ndërsjellë në fushën e arsimit, shkëmbimit të njohurive, tezave, ideve, si dhe pranimit të mendimeve të ndryshme, por edhe kërkimeve të përbashkëta, të pa rënduara nga politika, do të mund të tejkalohen keqkuptimet që shtyhen në mënyrë delikate nga elita politike. Arsimi nuk duhet dhe nuk guxon të rëndohet nga politika, ai bazohet në njohuri shkencore, fakte dhe të dhëna empirike, të cilat janë të vërteta shkencore.

Në fushën e kulturës, është thelbësore të respektohet trashëgimia kulturore dhe pasuria kulturore e çdo vendi dhe të mos kontestohet e njëjta gjë. Domethënë, kultura lë gjurmë dhe është pjesë e diskursit të përgjithshëm shoqëror të një vendi. Tradita brenda kulturës është dëshmi dhe shenjë e qenies së gjithsecilit dhe për këtë duhet ruajtur me dashuri dhe pasion të veçantë pasuria kulturore dhe trashëgimia kulturore që ka çdo vend. Në sferën e kulturës duhet të zhvillohet edhe bashkëpunimi mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, sepse përmes institucioneve kulturore, manifestimeve kulturore, qendrave kulturore mund dhe duhet të përhapen vlerat europiane. Ajo që duhet theksuar posaçërisht është se asnjë segment i kulturës së asnjë vendi nuk duhet të kontestohet, e sidomos ajo që do të thotë traditë, trashëgimi dhe pasuri, sepse kështu ngatërroni thelbin e një populli. Kultura duhet të bashkojë, të frymëzojë, të përmirësojë, të integrojë, të fisnikërojë, të përhapë energji pozitive dhe të zhvillojë emocione të bukura. Kultura nuk guxon të ndajë, të përçajë, të përhapë urrejtje, të nënshtrojë, të diskriminojë, përkundrazi duhet të zhvillojë frymën e mirëkuptimit, respektit, mirësisë dhe natyrisht tolerancës. Konsolidimi kulturor është kyç për një popull dhe shkëmbimi kulturor duhet të kultivohet në frymën e fqinjësisë së mirë dhe avancimit të kulturës. Në të dy vendet, të rinjtë duhet të stimulohen për krijimtari të përbashkët, shkëmbim idesh dhe vlerash kulturore, bashkëpunim në fushën e artit, poezisë, aktrimit. Aktorët kulturorë duhet të jenë bartës të shkëmbimit kulturor, sepse vetëm kështu do të arrihet përparim kulturor. Në këtë frymë, Opera dhe Baleti Kombëtar i Maqedonisë, institucion që ka nënshkruar memorandume bashkëpunimi dhe marrëveshje me institucionet kombëtare të operës dhe baletit nga Stara Zagora, Plovdivi, Burgasi, Varna, punon si shembull i mirë i bashkëpunimit. Bashkëpunimi mes këtyre institucioneve kulturore vazhdon prej dekadash dhe përfshin vizita në opera dhe balet në qytetet e përmendura më parë dhe duhet theksuar se ky bashkëpunim është i vazhdueshëm. Konkretisht, në Maqedoni dhe në Bullgari mbahen shfaqje baleti dhe operistike me të ftuar të operave dhe baleteve kombëtare, dhe duhet theksuar se ato ndiqen dhe përkrahen masivisht nga publiku. Gjithashtu, teatrot kombëtare të dy vendeve vazhdojnë bashkëpunimin dhe shfaqjet në kuadër të manifestimeve kulturore zhvillohen me pjesëmarrje. Sigurisht, ekspozitat dhe leximet poetike janë pjesë e shkëmbimit kulturor. Ky është një shembull dhe praktikë e mirë që institucionet e tjera kulturore të bashkëpunojnë, në fakt kultura ka atë fuqinë primordiale për të përhapur ngrohtësi, tolerancë, bukuri dhe të bashkojë.

Sporti, si një nga punët anësore më të rëndësishme në botë, duhet të jetë fushë bashkëpunimi mes dy vendeve, fushë loje, gare, përhapje e mirësjelljes sportive dhe dialogut intelektual në sport. Edhe pse jo shpesh, terrenet sportive janë bërë edhe shënjestër e nënçmimit, e kalkulimit politik, sidomos nëpërmjet tifozëve të skuadrave të të dyja vendeve apo të përfaqësueseve kombëtare, të cilët përmes parrullave dhe brohoritjeve vulgare duke përdorur fjalë nënçmuese që nënkuptojnë fyerje ndaj tjetrit, duke përhapur gjuhë të urrejtjejes dhe jotolerancë. Sporti duhet të bashkojë dhe të zhvillojë sportivitetin dhe konkurrencën sportive në frymën e mirëseardhjes së kundërshtarit, pranimit të humbjes, urimit të më të mirëve dhe veprimit në frymën e mesazheve pozitive që dërgohen përmes sportit. Ndeshjet më të shpeshta, qoftë miqësore, qoftë brenda kupave apo garave sportive, të ekipeve kombëtare dhe klubeve sportive nga të dy vendet, duhet të përhapin diskursin pozitiv, duke brohoritur për klubin e vet, por pa fyer tjetrin në asnjë bazë, duke përhapur bontonin sportiv, mbi dialogun ndërkulturor në sport dhe të mësuarit se si të pranosh fitoren dhe humbjen. Vetëm përmes atmosferave pozitive sportive dhe nismës së bashkimit në frymën sportive, por edhe ndëshkimit dhe dënimit të fyerjeve dhe diskriminimit, do të kontribuojë në tejkalimin e dallimeve dhe pranimin e diversitetit.

Politika është pjesë e pashmangshme e një analize dhe qëndrimi jo vetëm i elitës shkencore dhe intelektuale, por i mbarë publikut është se padurimi dhe problemet shkaktohen dhe kultivohen në momente të caktuara pikërisht për nevojat politike. Nga ana tjetër, provokimet nga aspekti i mbështetjes së personave që janë pjesë e historisë dhe mohojnë një komb apo kulturë, fyerjet nga politikanët, hapja e klubeve që kanë qëllime të fshehta, nuk duhet të mbeten pa u vënë re dhe të padënueshme. Provokimet nuk duhet të ndizen, por kushdo që provokon duhet të mbajë sanksionin e duhur. Elita politike nuk duhet të mbetet dëshmitare e heshtur e sjelljes së keqe të dikujt, e mohimit të dikujt ndaj aktorëve të kulturës dhe lavdisë së personave që nuk janë bërë të lavdishëm për të mirën, duhet të qëndrojnë fort në rrugën e veprimeve të tilla. Elita politike, nga të dy vendet, duhet të punojë në frymën e mirëkuptimit, pajtimit, tolerancës, respektit, por edhe përgjegjësisë dhe kujdesit për të vetët brenda dhe jashtë vendit. Elita politike nuk duhet të nxisë dhe të mbështesë dhunën, sepse dhuna lind dhunë, përkundrazi, duhet të jetë shembull i bashkëpunimit, komunikimit dhe përhapjes së vlerave pozitive, që do të thotë përparim i të dy vendeve. Të gjithë kemi synim të përbashkët, prosperitet dhe progres,  jetë më të mirë dhe njerëz më të lumtur, vetëm me një mision të tillë elita politike do të arrijë të ruajë shpirtin e popullit dhe përhapjen dhe zhvillimin e vërtetë të vlerave europiane. Do ta përfundoj me mendimin e Martin Luter King-ut se “Brezat e ardhshëm nuk do të gjykojnë të keqen dhe dhunën e njerëzve të këqij, përkundrazi do të gjykojnë heshtjen e të mirëve”.

Kjo analizë është pjesë e projektit: “Demitizimi i marrëdhënieve (jo)fqinjësore në rrugën drejt BE-së: Rasti i Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë”, e mbështetur nga Ambasada Kanadeze në Beograd, përmes Fondit Kanadez për Iniciativa Lokale (CFLI). Përmbajtja e publikimit është përgjegjësi e vetme e EUROTINK – Qendra e Strategjive Europiane dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se i pasqyron pikëpamjet e Ambasadës Kanadeze në Beograd dhe ato të Fondit Kanadez për Iniciativa Lokale.

 

 

30/01/2023