Ресурсна платформа за граѓани и медиуми

Nuk ka zgjidhje tjetër apo kjo nuk është zgjidhje? Drejt narrativave politike dominuese në kontestin maqedono-bullgar

Autor: Kire Vasilev, politolog

Të gjithë janë dakord se zgjidhja e çështjeve të hapura me fqinjët do të përmirësojë zhvillimin politiko-ekonomik rajonal dhe do të kontribuojë drejt stabilitetit dhe paqes. Të paktën në thelb të gjithë e besojnë këtë. E megjithatë, në vitet e fundit, duket se çështja kryesore politike që imponohet dhe krijon ndarje shoqërore janë marrëdhëniet maqedono-bullgare dhe procesi i mundimshëm i tejkalimit të mosmarrëveshjeve ndërmjet fqinjëve. Përshtypja në rritje e mungesës së shpresës dhe e kotësisë së iniciativave për bashkëpunim më të mirë në mesin e publikut ngre gjithnjë e më shumë pyetjen nëse, kur dhe në çfarë mënyre Republika e Maqedonisë së Veriut duhet t’i zhvillojë negociatat me Republikën e Bullgarisë, por edhe në përgjithësi me vendet e tjera fqinje. Në të njëjtën kohë, duket se partitë politike dominuese nuk mund të arrijnë një marrëveshje për pikat e kornizës së negociatave, veçanërisht për të ashtuquajturin propozim francez. Një pjesë e tyre konsiderojnë se është një goditje tjetër e jashtme për historinë dhe shtetësinë, ndërsa të tjerët konsiderojnë se kompromisi është i pranueshëm sepse rruga drejt integrimit dhe zhvillimit europian është alternativa e vetme për Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Qëndrime të tilla janë pjesë e narrativave kontradiktore që nuk janë të qenësishme për këtë konflikt rajonal apo për politikat e brendshme të vendeve ballkanike. Përkundrazi, kundërshtimi i “mbrojtjes së të krijuarës” dhe “rrugës së pashmangshme drejt zhvillimit” mund të njihet në politikën e brendshme të shumë vendeve, si dhe në shumë konflikte ndërkombëtare, përfshirë agresionin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës. Pikërisht për të elaboruar politikën e brendshme dhe të jashtme ruse, si dhe marrëdhëniet e saj me ShBA-në, Europën dhe veçanërisht me Ukrainën në dekadat e fundit, historiani amerikan Timothi Snajder (Timothy Snyder) në librin e tij Rruga drejt palirisë grupon pozicione të tilla në dy narrativa politike dominuese, që mund të njihen edhe në kontekstin lokal. Politika e pashmangshmërisë dhe politika e pafundësisë, ose dy narrativat me të cilat ai vepron në hulumtimin e tij, mund të na ndihmojnë që të kuptojmë qëndrimet individuale ndaj çështjes maqedono-bullgare, si dhe mënyrën se si e percepton njëra dhe tjetra “tjetrin” në kuadër të narrativës së caktuar. Por mbi të gjitha, zbatimi i kësaj ndarjeje binare në shikim të thjeshtë nga Snajderi (Snyder) për marrëdhëniet bullgaro-maqedonase na çon drejt përfundimeve të rëndësishme për qëndrimin e përgjithshëm ndaj historisë së fundit europiane, e cila duket si traumë e hidhur që shpërtheu në sipërfaqe dhe lëkund terrenin , jovetëm në Ballkan, por edhe në pjesën më të madhe të kontinentit.

Politika e pashmangshmërisë dhe politika e pafundësisë

Në vendosjen e dy narrativave qendrore me të cilat ai do të operojë në kërkimin e tij, nuk na habit fakti që Snajderi (Snyder) në përgjithësi e lidh politikën e pashmangshmërisë me të ashtuquajturën “botë perëndimore” dhe nga ana tjetër, të ashtuquajturën “lindore” me politikën e pafundësisë. Ideja e Fukujamas për “fundin e historisë” mund të pranohet si përcaktues i botës perëndimore në dekadat e fundit. Pas fitores së demokracisë liberale në fund të Luftës së Ftohtë, ky besim politik konfirmon epërsinë e tij dhe pohon veten si e vetmja e ardhme politike. Sipas Snajderit (Snyder), ai materializohet në narrativën e politikës së pashmangshmërisë që ofron plan të caktuar për zbatimin e programeve zhvillimore të përcaktuara qartë si dhe për një mjedis të mirë institucional të së tashmes. Në versionin amerikano-kapitalist, natyra solli tregun, tregu solli demokracinë dhe demokracia solli lumturinë. Në versionin europian, historia krijoi kombin, i cili me luftë mësoi se paqja është e mirë dhe që na çoi në rrugën e integrimit dhe prosperitetit. Sigurisht, sipas Snajderit (Snyder-it), kjo lloj politike mund të njihet edhe në narrativat e disa prej rrymave dhe regjimeve progresive socialiste dhe komuniste. Qëllimi përfundimtar qëndron shumë larg në horizontin e së ardhmes dhe qëllimi është të ecësh në rrugën e mundimshme, por edhe të pashmangshme drejt saj.

Megjithatë, në vend të progresit linear, politika e pafundësisë e percepton qëllimin e saj përfundimtar si të realizuar dhe prandaj merret me ruajtjen e ekzistueses. Në këtë rast, koha nuk është një formë lineare që çon drejt një të ardhmeje më të mirë, por një rreth kthimi i pafund ndaj rreziqeve të së shkuarës. Në politikën e pashmangshmërisë, askush nuk është fajtor sepse e ardhmja hekuros detajet dhe u bën mirë të gjithëve. Në politikën e pafundësisë, nga ana tjetër, askush nuk ka faj sepse armiku vjen sërish nga jashtë. Ndryshe nga politikanët e pashmangshmërisë, politikanët e pafundësisë përhapin bindjet se qeveria në fund të fundit nuk mund të përmirësojë shoqërinë, përkundrazi, përparimi mund të jetë edhe fatal, por ajo që këta politikanë mund të bëjnë është të mbrojnë shoqërinë nga kërcënimet e jashtme.

Lidhja me faktet historike

Megjithëse këto karakteristika të të dyja politikave mjaftojnë për t’u njohur në politikat lokale të përfshira në konfliktin maqedono-bullgar, stilet e tyre të përkthimit të fakteve historike në narrativa konkrete ideologjike që përdoren duke aluduar në problemet e së tashmes duken vendimtare. Ata që mbrojnë pashmangshmërinë i shohin faktet si pjesë të mozaikut të përparimit të përgjithshëm, ndërsa ata që e mbrojnë pafundësinë e klasifikojnë çdo ngjarje të re si një shembull tjetër të kërcënimit të jashtëm të vazhdueshëm. Politikanët e pashmangshmërisë i mësojnë publikut se specifikat e së kaluarës nuk janë aq të rëndësishme: gjithçka që ndodhi është vetëm pjesë e progresit. Nga ana tjetër, politikanët e pafundësisë kërcejnë nga shekuj në dekada, nga një moment historik në tjetrin, për të ndërtuar mitin e lumturisë së kombit të tyre dhe për të përvijuar rrezikun që kërkon të kërcënojë pafajësinë e tij.

Është e qartë se nëse ato udhëhiqen nga kuptime të ndryshme të historisë, të dy narrativat do të kenë stilet e tyre të veçanta të propagandës në të tashmen dhe në të ardhmen. Politikanët e pashmangshmërisë rrotullojnë fakte për të treguar prosperitet, ndërsa politikanët e pafundësisë fshehin fakte për të hedhur poshtë realitetin se njerëzit në vendet e tjera janë më të lirë, më të pasur dhe se me reforma të bazuara në njohuritë empirike mund të bëjnë një hap drejt përparimit. Gjatë krizave, politika e pashmangshmërisë reagon duke i bindur qytetarët se gjithçka do të jetë mirë, ndryshe nga politika e pafundësisë, e cila në kohë krize propagandon se gjithçka është e keqe dhe asgjë nuk mund të bëhet.

Mekanizmat e propagandës

Fjalimet, fushatat dhe stili i negociatave të anëtarëve të partive politike maqedonase në lidhje me marrëdhëniet me Republikën e Bullgarisë japin tregues të qartë për praninë e pikërisht narrativave të tilla në skenën politike maqedonase. Këto mund të analizohen mirë bazuar në reagimet rreth marrëveshjes franceze, e cila ndau qartë jo vetëm publikun, por edhe skenën politike në mbështetës të narrativës së pafundme apo të pashmangshme. Politikanët e VMRO-DPMNE-së dhe Levicës (të Majtës) po e realizojnë qartë politikën e pafundësisë. Ata këmbëngulin se marrëveshja është bërë pa konsultim publik dhe se në përgjithësi, ndërhyrja e jashtme është armiqësore ndaj integritetit të shtetit. Ndërveprimi me subjektet e jashtme perceptohet si kërcënim dhe kushdo që nuk e përjeton këtë në të njëjtën mënyrë është tradhtar. Në anën tjetër, politika e pashmangshmërisë e udhëhequr nga LSDM dhe BDI e mbështetnin marrëveshjen dhe besojnë se ajo do t’i sjellë përfitime ekonomike dhe politike shtetit. Ata pretendojnë se marrëveshja nuk kërcënon sovranitetin dhe integritetin kombëtar dhe se zgjidhja e pikave të diskutueshme do të zgjidhë çështjet e hapura që pengojnë progresin. Me veprime të tilla ata bindin opinionin se po bëjnë një hap përpara drejt integrimit dhe prosperitetit europian.

Në të njëjtën kohë, duket se në kontekstin maqedonas narrativa politike e pashmangshmërisë është më pak e zhvilluar dhe nuk shterron të gjithë mekanizmat dhe elementet propagandistike që disponon, gjë që ngjall mosbesim te qytetarët jo vetëm ndaj politikanëve, por edhe ndaj politikës që ata përfaqësojnë. Nga ana tjetër, politika shumë më e përhapur e pafundësisë vepron në të gjitha fushat, por veçanërisht në fushën e historisë. Kështu ajo u tregua mirë gjatë debatit për klubet bullgare në Ohër dhe Manastir që mbajnë emrat e figurave kontroverse të historisë. Kërcimi nga shekuj në dekada u tregua duke imponuar polarizimin e fashistëve kundër antifashistëve, gjë që u mbështet edhe nga mekanizmat propagandistikë karakteristikë të kësaj politike. Një prej këtyre mekanizmave ishte thirrja e ngjarjeve historike nga Lufta e Dytë Botërore me paraqitje me gojë ose pikturale për të ilustruar agresionin fashist bullgar në territorin e Maqedonisë dhe për ta lidhur atë me aktorët politikë bashkëkohorë, e më pas me mbarë kombin. Antagonizmi midis heronjve dhe tradhtarëve, që po sforcohet vazhdimisht në fusha të panumërta, përforcohet nga figura konkrete që shfaqen si aktorë modernë në role të vjetra: ndërkohë që zjarrvënësit dhe banditët janë heronjtë e sotëm, qeveria aktuale dhe mbështetësit e saj figurojnë, natyrisht, si ata që “e kanë shitur shtetin”.

Fashisti, ky është tjetri

Antagonizmi i përbërë nga heronj dhe tradhtarë natyrisht që përkthehet lehtësisht dhe shpesh në antagonizmin e njohur dhe të përmendur tashmë të antifashistëve dhe fashistëve. Këmbëngulja e etiketimeve të tilla, megjithatë, luan rol më të madh për politikën e pafundësisë sesa thjesht një gjest dramatik momental i fatalizmit, pikërisht në drejtim të vendosjes së pozicionit të dikujt si pozicion i viktimës absolute. Kjo hedh poshtë pluralizmin politik dhe faktin që çdo komb përbëhet nga grupe të ndryshme politiko-ideologjike dhe kushdo që kundërshton këtë mënyrë të të menduarit vendoset në pozitën e një armiku të brendshëm. Për këtë do të përdorim edhe një herë terminologjinë e Snajderit (Snyder), këtë herë me termin skizofashizëm. Duke u nisur nga ngjarjet e kaluara dhe duke u identifikuar në mënyrë të ekzagjeruar me paraardhësit e tij, skizofashisti është pafundësisht në pozicionin e një viktime që duhet të mbrohet kundër shtypësit. Por gjëja më e rëndësishme në këtë plejadë nuk është identifikimi i tepërt i tij me antifashizmin, por përjashtimi i çdo mundësie për të gjetur elemente fashiste tek ai. Në këtë mënyrë u hapet rruga aktorëve politikë, të cilët nga njëra anë parakalojnë fotografitë e fshatrave maqedonase të shkatërruara në Luftën e Dytë Botërore, ndërsa nga ana tjetër flasin për “gjuhë të pastër” dhe “komb të pastër”.

Kjo analizë është pjesë e projektit: “Demitizimi i marrëdhënieve (jo)fqinjësore në rrugën drejt BE-së: Rasti i Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë”, e mbështetur nga Ambasada Kanadeze në Beograd, përmes Fondit Kanadez për Iniciativa Lokale (CFLI). Përmbajtja e publikimit është përgjegjësi e vetme e EUROTINK – Qendra e Strategjive Europiane dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se i pasqyron pikëpamjet e Ambasadës Kanadeze në Beograd dhe ato të Fondit Kanadez për Iniciativa Lokale.

 

 

10/02/2023