Autor: Mariglen Demiri, hulumtues
Marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë vitet e fundit kanë qenë mjaft të acaruara dhe kanë karakteristika dramatike. Kryesisht është për shkak të shumë faktorëve, problemi është shumë më kompleks sesa interpretimet e thjeshtuara të medieve, të cilat shpesh kanë motive nxitëse, sidomos kur bëhet fjalë për shoqërinë tonë në Maqedoninë e Veriut. Nga ana tjetër, problemi vazhdon dhe ka implikime politike në baza ditore, javore dhe të pacaktuar. Implikimet ndikohen në kontekstin e brendshëm të shtetit dhe aplikojnë shtresa të reja në disponimin shoqëror dhe politik të qytetarëve. Ato efekte ndryshojnë fizionominë e disponimit politik të qytetarëve, ngatërrojnë më tej orientimin dhe profilizimin ideologjik që nuk korrespondon me nevojat shoqërore dhe paralajmërojnë marrëdhënie antagoniste të bazuar në agjentin kombëtar.
Vetot ndaj Maqedonisë së Veriut pas nënshkrimit të Marrëveshjes së miqësisë, fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Bullgarisë në vitin 2017, i dhanë erë kurrizit të iniciativave politike të djathta në të dyja shoqëritë, duke i ushqyer ata me arsenal të madh argumentesh pse njëri, përkatësisht tjetri janë armiq dhe si të tillë duhet të trajtohen në mënyrë armiqësore. E gjithë kjo vjen pas të ashtuquajturës Marrëveshja e Prespës me Greqinë dhe detyrimi i pranuar për hapjen e Kushtetutës së vendit dhe ndryshimin e emrit kushtetues.
Pa hyrë në shkallën e sinqeritetit të motiveve të këtyre nismave për nënshkrimin e marrëveshjeve të tilla, sipas të cilave (tashmë) Maqedonia e Veriut do të integrohej në një shkëmbim më të gjerë kulturor dhe ekonomik egalitar me fqinjët e saj, megjithatë këto marrëveshje kontribuojnë në rritjen e ndjenjës nacionaliste kryesisht te maqedonasit, por edhe te bullgarët. Jo vetëm marrëveshja e nënshkruar në vitin 2017, por edhe vetot për eurointegrimet e Maqedonisë së Veriut po intensifikojnë nismën e qarqeve kryesisht nacionaliste, duke i “pajisur” ato me ofensiva shtesë argumentuese për një qasje antagoniste në raport me pjesëtarët e bashkësisë “tjetër”, përtej kufijve “tanë”. Qasja dhe retorika nacionaliste nuk janë të pranishme vetëm tek agjentët e profilizuar politikisht të krahut të djathtë, por edhe tek ata të majtë, (në rastin tonë) partia Levica (E Majta), e cila ndërlidhet në këto debate në shoqëri dhe i artikulon ato përmes mitit kombëtar të përkufizuar tradicionalisht që rrëfen luftën dhe krijimin e Maqedonisë përmes një mënyre substancializuese, karakteristike kryesisht për kuptimet djathtiste të kombit. Këtu në ndërtimin e pozicionit të tyre hyjnë komponentët antiestablishment populistë, të cilët pavarësisht motiveve për ndershmëri apo dinjitet, momenti oportunist nuk mund të hidhet poshtë.
Protestat me veprim të dyfishtë
Në këtë drejtim, një moment mjaft i rëndësishëm ishin protestat e vitit 2022 si një lloj manifestimi i përplasjes së portretizuar mes dy shteteve. Protestat u paraprinë nga të ashtuquajturat Propozimi francez dhe bllokimi i rrugës së integrimit të vendit në BE. Edhe pse një nga arsyet e protestave ishte propozimi, logjika e tij e brendshme e kontradiktës tregon mirëpritjen e këtij propozimi, veçanërisht në kontekstin e kundërshtimit të tij ndaj refuzimit të plotë të idesë së integrimit europian.
Një pjesë е vogël e parëndësishme e lëvizjes protestuese pati vërejtje për vetot e vendosura nga Bullgaria në rrugën integruese të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian dhe domosdoshmëritë e imponuara nga Propozimi francez. Vërejtjet në formë argumenti lëvizën dhe ende lëvizin në drejtim të (I) refuzimit të agjendës europiane dhe integrimeve europiane, por edhe (II) forcimit të paradigmës mitologjike me pozicione antagoniste ndaj të tjerëve, supremacizmit historik dhe projekti politik mono-etno-kombëtar.
Teza se nën iniciativën e këtyre protestave ka pasur motiv të nxitur nga mirëpritja e vetos dhe Propozimit francez, përcaktohet nga të dhënat e disponueshme dhe të dukshme përmes ikonografisë, deklaratave të pjesëmarrësve, si dhe deklaratave të organizatorëve. Kryetarët e partive opozitare u shprehën se Europa nuk është opsion, nëse pason asimilimi, se megjithatë do të gjendet një opsion tjetër dhe se në fund të fundit “BE-ja nuk është alternativa e vetme”.
Këto qëndrime janë të pranishme në mesin e agjentëve politikë nacionalistë dhe sovranistë ndër vite, të cilët subjektin politik të maqedonasit e perceptojnë përmes sintagmës kombëtare të demokracisë së grupit dominues dhe domicil (banor) që merr pjesë në jetën politike dhe shoqërore. Prej këtu, negociatat, heqja dorë nga një pjesë e sovranitetit të shtetit dhe institucioneve në emër të një transferimi më të lartë të marrëdhënieve, humbja e monopolit rrëfyes të shtetit në drejtim të një bashkësie etnike/kombëtare dhe ndryshimi i mitit dhe tregimit, përfaqëson uzurpim serioz në proceset jo vetëm të vetëkuptimit, por edhe të kulturës së vendosur të marrëdhënieve dhe kodeve kulturore që duhet të shkaktojë përmirësimi i marrëdhënieve nga njëra anë, por edhe pajtimi me Bullgarinë nga ana tjetër. Në këtë drejtim, protestat ishin të mbushura me thirrje për ASNOM-in dhe antibullgarizim të Maqedonisë dhe historisë maqedonase.*
Klubet kulturore si antipod i “garës kulturore midis kombeve”
Edhe pse në të kaluarën bullgarët maqedonas kanë pasur klubet e tyre kulturore, ka pasur edhe iniciativa për hapjen e klubeve kulturore me emra provokues, si për shembull iniciativa për klubin “Radko”, emër që konsiderohet pseudonim i një prej kryetarëve historikisht të diskutueshëm të VMRO-së, Ivan (Vanço) Mihajllov. Regjistrimi i këtij klubi ishte refuzuar nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Maqedonisë së atëhershme dhe ky vendim i motivoi iniciatorët e klubit që në vitin 2001 ta padisin shtetin në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg dhe në vitin 2009 për të marrë aktgjykim pozitiv, edhe pse para vitit 2009, që nga viti 2008 është regjistruar klubi i bullgarëve të Maqedonisë me emrin Klubi Kulturor Bullgar-Shkup.
Nga ana tjetër, edhe maqedonasit nga Bullgaria kanë pasur vështirësi në krijimin e klubeve të tyre në Bullgari. Këto nisma u pasuan me një sërë padish në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, ku numri i aktgjykimeve të marra për shkelje të të drejtave të njeriut, veçanërisht në lidhje me regjistrimin e klubeve kulturore, është mbi 16. Një pjesë e këtyre klubeve funksiononin në mënyrë të paligjshme dhe në forma e shoqata të ndryshme, ndërsa tashmë nga viti i kaluar, 2022, formimi u konfirmua zyrtarisht.
E përbashkëta e këtyre klubeve është se në të dyja rastet iniciativat merren nga dy minoritete etnike në dy vende të ndryshme. Njëra nga këto vende është anëtar zyrtar i BE-së që nga viti 2007. Në të dyja rastet, formimi dhe regjistrimi ishte pasojë e nismës afatgjate të dy vendeve për t’i pajtuar qëndrimet konfrontuese që janë mbajtur në të dy vendet në 30 vitet e fundit.
Në të dyja rastet, hapja e klubeve u shoqërua me praninë e politikanëve të njërit apo tjetrit vend, duke treguar se ata kujdesen për minoritetin në shtetin fqinj.
Në të dyja rastet, hapjet zyrtare të klubeve u pasuan edhe me protesta të subjekteve politike në lokalitetet ku ishin krijuar. Në Manastir, Ohër dhe Bllagoevgrad. Secili prej protestuesve kishte argumentet e veta se pse klubet nuk duhet të regjistroheshin dhe hapeshin.
Në Manastir dhe Ohër emrat e klubeve janë kontestuar për shkak të biografive problematike të personave me emrin e të cilëve janë emëruar klubet. Ivan Mihajllov dhe Car Borisi i Tretë u njohën nga protestuesit, një pjesë e publikut dhe kasta intelektuale si bashkëpunëtorë të fashistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe pikërisht për këtë, ata u inatosën publikisht, madje disa prej tyre protestuan edhe përballë selisë së klubeve. Është djegur edhe klubi në Manastir, ndërsa personi që ka kryer krimin është sanksionuar.
Në Bllagoevgrad, situata është e ngjashme, por me dallime të konsiderueshme. Pra, emri i klubit është Nikolla Vapcarov, nuk pasohet nga atavizma politike të kalibrit të klubeve bullgare në Maqedoninë e Veriut, por megjithatë, hapja e këtij klubi u pasua me praninë e politikanëve nga Maqedonia e Veriut në shenjë mbështetjeје për maqedonasit nga pjesa pirine e Bullgarisë dhe protesta nga përfaqësuesit e kampit politik të djathtë dhe nacionalist në Bullgari. Ajo që është paradoksale është fakti se dy parti politike me shenjën VMRO (DPMNE dhe BND) morën pjesë në hapjen e klubit kulturor maqedonas në Bullgari, njëra me mbështetje, tjetra me protestë, ku më në fund nga ana e disa mediеve u inskenua dhe një incident i vogël ose mund të thuhet edhe inekzistent.
Çfarë mbetet në fund?
Pas kaq shumë peripecive në marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, publiku ende duket se është mjaft dobët i informuar për natyrën e konfliktit ndërmjet organeve zyrtare të dy shteteve. Pavarësisht kaq shumë investimeve dhe iniciativave në drejtim të ngritjes së cilësisë së informacionit, tabloja politiko-shoqërore mbetet e bllokuar në perceptimin monolit të realitetit qoftë në rastin tonë në Maqedoninë e Veriut, qoftë në rastin e Bullgarisë.
Shumica e qytetarëve në të dy vendet besojnë se bullgarët, përkatësisht maqedonasit, të gjithë deri tek i fundit, janë armiqtë e tyre. Kur protestojnë kundër vendimeve dhe vetove të “armiqve” të tyre, presin që të gjithë pjesëtarët e kombit të tyre të solidarizohen me kërkesat e tyre, sepse “armiqtë” janë gjithmonë afër, të bashkuar dhe në sulm të vazhdueshëm. Duke hedhur poshtë kështu çdo heteronomi dhe heterogjenitet të mundshëm të të tjerëve dhe duke shtuar në radhët e tyre kategorinë e “tradhtarëve”.
Janë të rrallë ata qytetarë në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht maqedonasit që e dinë se krahas vetos, kryeministri i atëhershëm i Bullgarisë, Kiril Petkov, u kritikua shumë për butësinë e tij ndaj Maqedonisë së Veriut dhe maqedonasve. Supozoj gjithashtu se janë të rrallë ata bullgarë që janë prekur në një farë mënyre nga ky kontest dhe që kanë informacione për profilin politik dhe ideologjik të njerëzve që protestuan, veçanërisht para selisë së klubit kulturor Ivan Mihajllov në Manastir. Domethënë se një pjesë e madhe e tyre në të kaluarën kanë qenë pjesë e një shoqate të quajtur “Todor Aleksandrov”, dhe disa prej tyre kanë përshëndetur me përshëndetjen e famshme naziste “Zig Hajl” në garat sportive, e nga ana tjetër kanë protestuar kundër nazistit dhe bashkëpunëtorit fashist Ivan Mihajllov.
Ajo që mund të vërehet si rrumbullakim i një panorame më të gjerë të ngjarjeve të ndodhura në një vit kalendarik në dy vende dhe shoqëri të ndryshme është se kjo përplasje prodhon një publik që nuk është në disponim për zgjidhjen dhe tejkalimin e përplasjes, por për intensifikimin e saj. Strukturat narrative që burojnë nga këto ngjarje politike dhe shoqëroro-kulturore tregojnë një luftë në hendeqe të të dyja palëve, me shumë emocione dhe pa elan (dëshirë) për të braktisur qëndrimet e ngurtësuara të të dyja palëve në emër të një mirëkuptimi të ndërsjellë.
Sintagma e Goce Dellçevit, figurës historike të kanonizuar në të dyja kulturat, se ai e kupton botën si fushë e garës kulturore midis kombeve, duket se është refuzuar ose injoruar plotësisht, dhe lufta për Goce Dellçevin mbetet për t’u luftuar, ashpër me të gjithë forcat.
Ajo që mbetet si sfidë, jo për dy shtetet, por për dy shoqëritë, ata organizma të gjallë, të cilët çdo ditë ndjejnë impulsin e marrëdhënies së gjallë, bashkëpunimit dhe shkëmbimit, është të gjykojnë marrëdhëniet e tyre bazuar në përvojat e tyre të ndërtuara përmes prizmit të ekonomisë, miqësisë dhe bashkëpunimit. Vërshimi i përditshëm me lajme që paraqesin pjesërisht situatën ashtu siç ndodh në të dyja shoqëritë dhe që nuk pasqyrojnë thelbin e të dyja shoqërive, përkatësisht se të dyja shoqëritë, përveç problemeve dhe përplasjeve në planin politik, janë të mbushura me ndjenja nacionaliste, arriti të mbijetojë atë të ftohtë dhe të vazhdojë të ndërtojë marrëdhënie të lira nga historitë e mëdha të politikës dhe urrejtjes.
Kjo analizë është pjesë e projektit: “Demitizimi i marrëdhënieve (jo)fqinjësore në rrugën drejt BE-së: Rasti i Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë”, e mbështetur nga Ambasada Kanadeze në Beograd, përmes Fondit Kanadez për Iniciativa Lokale (CFLI). Përmbajtja e publikimit është përgjegjësi e vetme e EUROTINK – Qendra e Strategjive Europiane dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet se i pasqyron pikëpamjet e Ambasadës Kanadeze në Beograd dhe ato të Fondit Kanadez për Iniciativa Lokale.
*Protestuesit brohorisnin “Dorëheqje”, “Kurrë e Veriut, vetëm Maqedoni”, “ASNOM-i jeton”, “Fashistë bullgarë”